Untitled

Jan 03
Permalink

Albërie Hadërgjonaj kërkon divorcin


Kur të gjithë menduan se gjeti qetësinë dhe harmoninë familjare pas plot shtatë vitesh sakrificë, duke u bërë për një periudhë të gjatë kohe vetë nënë e vetë baba për fëmijët e saj, një lajm mjaft tronditës dhe i papritur u mësua për Albërie Hadërgjonajn. Duke iu përkushtuar totalisht dy vajzave, duke jetuar me shpresën se së shpejti do të bashkohej me bashkëshortin i cili vuante dënimin në burgun e Peqinit, telashet nuk përfunduan. Shumë shpejt “Bluetooth” zbuloi se marrëdhënia në çift e Albërie Hadërgjonajt me Mentorin ishte në krizë, madje burime të sigurta bënë të ditur se ishin në prag të divorcit. Në dukje e pabesueshme, por e vërtetë. Familja Hadërgjonaj jeton në një nga pallatet e reja të ndërtuar në zonën “Komuna e Parisit” në katin e fundit. Siç mund ta shihni me vëmendje edhe nga fotot, duket qartë papafingo, ku syrit të kujdesshëm nuk mund t’i shpëtojë edhe pjesa ndarëse me tulla të bardha. Nëse pyesje rrotull shtëpisë së Albëries, komshinjtë ishin shumë të rezervuar për të folur për të, por dukej qartë që diçka nuk shkonte. “Kemi dëgjuar shumë thashetheme kohët e fundit për të. Thonë që nuk shkon mirë me te shoqin, madje që janë edhe në prag të ndarjes”, – u shpreh një zonjë e moshuar. Ndërsa një tjetër tregonte: “Kohët e fundit po e shohim gjithmonë e më pak. Thuajse nuk është fare. E kemi parë disa herë me vajzat të cilat nuk i ndahen. Por me Mentorin nuk shkojnë mirë, kanë mosmarrëveshje”. Sipas një të njohure të saj, Albëria i kishte kërkuar të shoqit ndarjen, por ky i fundit nuk ka qenë dakord duke dashur t’i japë një tjetër mundësi. “Është vetë ajo që ka kërkuar ndarjen, madje dëshiron të jetojë veç, duke marrë me vete dy vajzat. Ia ka kërkuar të shoqit këtë gjë, por ai nuk pranon”, - shprehej ajo. Të gjithë shprehën habinë se çfarë mund ta kishte shtyrë Albërien, që vetëm në kohën që mendohet se rigjeti të shoqin, tashmë që koha e orvatjeve të udhëtimit Tiranë-Peqin mbaroi, bashkë me to dhe pamundësia për të rritur e vetme dy fëmijët, të dëshironte ndarjen nga bashkëshorti? Vetë këngëtarja fillimisht nuk dëshiroi të fliste për këtë, madje shprehte të kundërtën, se jeta e saj familjare shkonte më së miri me ndryshimin e vetëm që theksonte gjithmonë e më shumë faktin se me doemos duhet të rikuperonte kohën e humbur dhe të merrej me veten, kryesisht muzikën. Por vetëm dy javë pas publikimit të lajmit në “Bluetooth”, në një revistë të përjavshme, Albëria pranoi se gjithçka sa ishte folur ishte e vërtetë, dhe se me të shoqin situata po shkonte drejt divorcit. Koha që çifti Hadërgjonaj gjendeshin të bashkuar ishte prej 7 muajsh, që në qershor, një të enjte kur Mentori la qelinë për t’u kthyer në gjirin familjar. Që prej asaj dite, në shumë intervista Albëria u shprehte se tashmë kishte rigjetur lumturinë dhe se vuajtjet për të kishin marrë fund. “Jam shumë e lumtur dhe e emocionuar. Nuk është kollaj të bësh ballë vite sakrifice. Kam qenë nënë dhe baba në të njëjtën kohë. Për mua është një fillim i ri. Jeta më ka nisur nga e para dhe po përjetoj çastet më të bukura. Edhe pse jeta vazhdonte dhe gjërat mund të dukeshin normale, kam pasur një vakum të madh që vetëm unë e di. Kur mungon njeriu i zemrës nuk mund të jesh ajo që duhet të jesh, nuk mund të jetosh normalisht. Mua më duhej t’i bëja ballë shumë gjërave e vetmuar, por forcë më kanë dhënë vajzat e mia dhe Mentori nga qelia. Kam jetuar çdo ditë për të, me idenë që në një të ardhme të shpejtë do të bashkohesha, në mënyrë që të harronim gjithçka”, - do të shprehej Albëria pak çaste pas lirimit të të shoqit. Pyetjes nëse kishte ndryshuar gjë në raportin e tyre në këto shtatë vite të gjata, këngëtarja në intervistën e para disa kohëve iu përgjigj: “Nuk e di në mund të ketë ndryshuar gjë. Di që për atë njeri kam bërë të pamundurën. Jam e bindur që tani e në vazhdim do të jemi më mirë se ç’kemi qenë. Mentori tashmë do të shohë punën e tij, biznesin e vet që e pret, ndërkohë që unë do të vazhdoj me karrierën time, do të vazhdoj t’i kushtohem këngës, tani me një dëshirë edhe më të madhe”. Dhe në fakt është e vërtetë, Albëria ka nisur t’i përkushtohet këngës duke realizuar disa materiale të reja dhe klipe, në përgatitje për albumin e saj të radhës në bashkëpunim më kompozitorë të njohur. Po kështu, ajo u bë pjesëmarrëse edhe në festivalin e “Këngës Magjike”.
Nga martesa me Mentorin, Albëria ka dy vajza, Agnesa 16 vjeç dhe Anxhelina 14 vjeç. Vajzat janë shumë të lidhura, si me nënën ashtu edhe me babanë e tyre, i cili u ka munguar prej një kohe jo të pakët.


Permalink

Arjan Selimi në burg, Inisi le të dashurin



Ka vendosur të thotë “Stop”. Nuk ka marrë më mundimin që të hyjë në ambientet e errëta dhe të ngushta të burgut. E ka mbyllur ndjenjën thellë në zemrën e saj dhe ka vendosur të rinisë një jetë të re. Inis Gjoni, pas më shumë se tri vitesh lidhje me Arjan Selimin, të akuzuar për trafik droge, është “ndarë”. Prej afro 6 muajsh, regjisorja e mirënjohur, vajza e skenës dhe e ekranit, nuk është parë të mbërrijë në dyert e burgut 313 në Tiranë, në katin e tretë të të cilit ndodhet i izoluar Selimi. Arsyet përse nuk bëhen ende të ditura, por një gjë është e sigurt, Inis Gjoni nuk takohet më me ish-të dashurin. Shumë zëra thonë që janë ndarë përfundimisht. Të tjerë shprehen se dy të rinjtë i ndau burgu. Por të vërtetën e dinë vetëm ata dhe ndoshta një ditë këtë do ta bëjnë publike.
Takimet
Kur prangat do të shtrëngoheshin në duart e Arjan Selimit, balerinës së mirënjohur do t’i duhej me patjetër të gjente një mënyrë për ta mbajtur gjallë lidhjen me të. E veshur thjeshtë, paksa e ndrojtur, ajo nuk nguronte të shkonte për ta takuar në ambientet e burgut të sigurisë së lartë 302. “E kam parë shpesh të vijë tek burgu, ku takohej me të paraburgosurin Arjan Selimi. Asnjëherë nuk e takonte tek hekurat, por në një dhomë takimi, aty ku dhe avokatët takojnë klientët e tyre”, - shprehet një punonjës i paraburgimit “Mine Peza”. Por transferimi i Arjan Selimit në ambientet e 313-ës do ta detyronte sërish vajzën e mirënjohur të ekranit që të ndërronte dhe destinacion.
Ndarja
Duket se nuk ka duruar dot gjatë të futet në të tilla ambiente, ku ka vetëm të akuzuar, vetëm gardianë të sertë. Duket se e ka mërzitur vëzhgimi dhe sytë kureshtarë të të tjerëve kur takohej dhe çmallej me të dashurin e saj, ndaj ka vendosur t’i japë fund. Me shumë dhimbje mbase, por gjithsesi ka vendosur. “Inisi nuk ka ardhur më këtu. Mbase është ndarë me të dashurin”, - tregon një nga punonjësit e burgut 313. Shumë prej punonjësve të burgut e kanë vënë re mungesën e vajzës simpatike, prania e së cilës binte në sy. “Dikur ajo vinte gati një herë në muaj. Por tani se di pse s’duket më”, - tregon një nga gardianet. Ndryshe nga shumë familjarë apo të afërm të tjerë të të akuzuarve, Inisi kishte privilegjin të takohej me Arjanin në një dhomë, dhe jo aty në këmbë, ku i ndanin hekurat. Në atë dhomën e vogël ku kishte vetëm një tavolinë dhe disa karrige, ajo përjetonte momente relaksi, gëzimi, lumturie. Duket se të tilla përjetime do t’i mungojnë.

Permalink

Orinda Huta: Ju tregoj vuajtjen dhe ankthin tim



Për një muaj ka kaluar periudhën më të vështirë të saj. Iu desh të hiqte dorë nga jeta që bënte prej disa kohesh për t’u rikthyer tek vetja. Një kapitull “i errët” që e bëri të largohej nga miqtë e saj më të mirë, familja, kënga dhe shkolla. Tashmë është rikthyer, duke treguar se është sërish e lumtur, ndërsa thekson prerazi se cilat janë gjërat më të rëndësishmet për të. Orinda Huta rrëfen për herë të parë vuajtjet dhe makthin që i është dashur të hedhë pas krahëve me shumë mundim. Tashmë ajo rikthehet në ekran, më një tjetër hit, tjetër grup bashkëpunimi dhe për më tepër me një tjetër mënyrë jetese.
Jeni shkëputur prej disa kohësh nga skena dhe ekrani. Paraqitja juaj e fundit ka qenë ajo në “Këngën Magjike” të vitit të kaluar, me çfarë është marrë Orinda këto kohë?
Po, në fakt jam shkëputur për pak kohë. Por tani jam rikthyer me projekte të reja dhe nuk do të “humb” më. Sapo kam përfunduar një këngë të punuar nga NRG Band. Kënga titullohet “As fejesa, as martesa”. Është punuar nga djemtë e NRG Band, ndërkohë që orkestrimi është bërë në Maqedoni nga Darko Dimitrov. Është një këngë që do të shoqërohet sigurisht me një videoklip. Nuk dua që të humbë, pasi është shumë e bukur. Në fund të korrikut do t’i serviret publikut, kohë kjo ku ka përfunduar tërësisht edhe videoklipi.
Pse ky titull: “As fejesa, as martesa”. Mos ndoshta trembesh prej tyre?
Kohët e fundit njerëzit kanë filluar të fejohen dhe të martohen shumë shpejt. Çdo ditë shikoj dhe dëgjoj njerëz, miq e të njohur të mi që fejohen apo martohen. Nuk është se trembem, pasi edhe për mua do të vijë kjo kohë, por shpresoj që të mos jetë e shpejtë, nuk dua që kjo të mos më ndodhë tani shpejt. Kam ende shumë kohë për të shijuar.
Keni bërë kalimin nga NRG tek NRG Band. Pse ky kalim?
Arsyet kanë qenë disa, por të vogla. Ndoshta ishte puna e ngadaltë që po bëhej për mua, edhe pse vlerësimi është maksimal. Të gjitha këngët e tyre janë bërë hite. Ka qenë një periudhë e mirë për mua, dhe shoqërore. Ndërsa me NRG Band emri ishte një rastësi që përkoi me të mëparshmin. Puna e tyre më pëlqen.
I kthehemi këngës. Është pjesë e ndonjë albumi në plan?
Albumi është në rrugë e sipër. Do të dalë së shpejti. Më duhen edhe shumë pak këngë për ta përfunduar. Nuk kam qenë shumë e vullnetshme këto kohë, nuk kam pasur dëshirë të merrem me asgjë. Pastaj, vera nuk mu duk periudhë e përshtatshme për të nxjerrë albumin. Këtë stinë e lashë për të nxjerrë hitin tim të ri dhe klipin e tij. Por tani e në vazhdim gjithçka do të ndryshojë.
Përse kjo mungesë dëshire dhe vullneti?
Kisha shumë kohë që nuk merresha me veten. Nuk e njihja më. Kam kaluar periudhën më të vështirë të jetës time, aq sa u dobësova pa masë, arrita deri në 50 kg, shumë e papranueshme për gjatësinë time 1.75 cm. Nuk flija më, nuk doja të më fliste askush. Në shtëpi shkoja orar e pa orar. Madje ka pasur raste që nuk kam shkuar edhe fare. Periudha më e gjatë që nuk kam fjetur në shtëpi ka qenë një muaj. Grindesha shumë me të gjithë, me prindërit e mi, kryesisht me mamanë time.
Ku e kaloje natën?
Rrija deri vonë lokaleve me miqtë dhe më pas shkoja në shtëpinë e shoqes time të ngushtë, Idës. Është njeriu që më ka ndenjur më afër këtë periudhë kohe dhe për këtë e falenderoj shumë. Më ka kuptuar dhe ngushëlluar për çdo moment që po kaloja. Nuk mundja të shkoja në shtëpi, kisha shumë nevojë për shoqen time të ngushtë.
Cili është shkaku i gjithë kësaj gjendje?
Nuk di t’iu them, as vetë nuk di t’ua shpjegoj. Nuk e kuptoja më veten time dhe ndihesha shumë e çuditshme. Prej një viti u largova nga mosha ime, nga miqtë e mi që më rrinin gjithmonë shumë pranë. Nuk doja të dëgjoja asgjë prej tyre nga ajo çka po kaloja. Doja vetëm fjalën e Idës. Nisa të pija shumë, shumë alkool. Në fillim dehesha, por pastaj nisa të konsumoja aq shumë sa nuk më zinte më pija. Ç’të them, gjëra që tani dua t’i harroj përfundimisht.
Arsyeja: Ndonjë lidhje sentimentale?
Jo tamam kështu, por nuk dua të shprehem për asgjë që kam kaluar. Theksoj edhe njëherë që ishte një periudhë prej 1 viti që u largova nga vetja ime dhe mendoja se isha e lumtur. Por më pas kuptova gjithçka dhe prej një muaji kam kaluar vuajtjen më të madhe të jetës time. Derisa më në fund “shpëtova”. Pak nga pak arrita të kuptoj se kush jam dhe se çfarë duhet të bëj. Hoqa dorë vetë nga ajo që po më ndodhte dhe për këtë jam krenare. Vura çdo gjë në vendin që i përkiste dhe tani ndihem mirë. Gjëja e parë që bëra ishte t’i rikthehesha mësimeve. Sapo kam përfunduar vitin e parë në Universitetin Europian të Tiranës. Semestrin e parë nuk kam shkuar thuajse fare. E braktisa shkollën tërësisht, aq sa më vunë ultimatum që nëse nuk do të frekuentoja më leksionet, duhet të largohesha. Por tani jam rikthyer, kam nisur studimin, edhe pse nuk jam ndonjë studente “e thekur” për mësime. Tani kam çdo ditë nga një provim, kështu funksionon aty sezoni. Dua t’i përfundoj mirë dhe gjatë kësaj kohe që në shkollë jam pushim të merrem me këngët dhe koncerte të shumta që organizohen.
Pra, gjithçka ka përfunduar?
Po, përfundimisht. Jam në një periudhë shumë të mirë. Jam rikthyer ajo “bebja” që kam qenë, pasi kështu më thërriste gjithë shoqëria ime. Për një vit të tërë “u rrita” shumë në moshë, aq sa s’po më njihte më njeri, ndërsa tani jam e lumtur kur dëgjoj të tjerët që më thonë: je bërë sërish “bebe”. Po i kushtoj shumë kohë familjes. Qëndroj shumë me ta, thuajse gjithë ditën, veç shkollës. Kam nisur të lexoj shumë libra. Po më pëlqen shumë kjo ndjesi që kam tani. Ju betohem që jam shumë e lumtur.
Është folur shumë për një lidhje tënden me Turi Hyskën e grupit “Produkt 28”. Sa e vërtetë është kjo?
Ka qenë momenti i dëshpërimit të një personi që ka nxjerrë këtë thashethem. Nuk është aspak e vërtetë. Jemi miq të mirë. Jemi shokë klase. Gjatë orëve që jam në shkollë Turi është një nga miqtë e mi më të mirë, i tillë është edhe Albani, pjesëtari tjetër i grupit “Produkt 28”. Rrimë bashkë, shkojmë mirë.
Je e dashuruar?
Jam e lumtur.
Njeriu që do më shumë?
Motra ime, Silva. Edhe pse kam shumë debate me të, mbetet personi që unë dua më shumë në këtë jetë. Vdes t’i ndiej aromën, dua ta përqafoj sa herë e shoh. Sigurisht që për mua e gjithë familja është e rëndësishme, po kështu edhe shoqja ime e ngushtë, Ida. Tani motrën e kam larg, është në Irlandë dhe pret një bebe. Do jem unë ajo që do kujdesem shumë për të dhe për mbërritjen e bebit.
Po marrëdhëniet me vëllain si janë?
Kam pasur shumë debate me vëllain, por falë forcës time kanë mbaruar. Nuk ka më asnjë grindje. E ka kuptuar që unë kam jetën time dhe pavarësinë e mbroj dhe luftoj shumë për të. Edhe prindërit nuk më kufizojnë për asgjë. Në moshën time më delikate, në adoleshencë kam bërë çfarë kam dashur. Në fakt, kam qenë një adoleshente “e shkrehur”. Më pëlqente të realizoja me doemos atë që dëshiroja. Prindërit e mi janë të kuptueshëm, mjafton t’i njoftoj se ku ndodhem.
Je ndjerë e paragjykuar?
Unë nuk shoh, dëgjoj dhe njoh thashetheme. Nuk më interesojnë fare. Fqinjët për shembull mund të më kenë parë që kam hyrë në orët e vona të natës në shtëpi, dhe mund të kenë folur. Për mua s’ka rëndësi. E di që ky është mentaliteti shqiptar. Do bëj atë që dua unë. Veç familjes time, për mua nuk ka më rëndësi askush.
I kërkon ndokujt falje?
Po, me plot gojë familjes time, kryesisht nënës. I kisha lënë shumë pas dore. Kërkoj falje për të gjitha grindjet që kam pasur me ta, nuk do të përsëriten kurrë më.
Si e sheh Orinda veten pas 5-10 vjetësh?
Public Relacions, do të jetë profesioni im. Do i përkushtohem tërësisht këtij profesioni, edhe pse do të më duhet të lë për në vend të dytë këngën. Pas 10 vitesh ndoshta do të jem martuar dhe me një bebe. Jam tmerruar nga fejesat dhe martesat kohët e fundit. Nuk shoh fejesë për veten time para 5 viteve.

Permalink

Genta Ismajli: 6 vitet e dashurisë



Energjike, joshëse dhe gjithmonë e më shumë kërkuese ndaj vetes. E kthyer tashmë në një tjetër imazh, Genta Ismajli po ngjit gjithmonë e më shumë majat e suksesit në botën e muzikës. Në këtë intervistë për “Bluetooth”, bukuroshja kosovare tregon për dashurinë e saj 6-vjeçare me Milotin, njohjen, bashkëjetesën, planet për të ardhmen në lidhjen e tyre dhe projektet në profesion, dashuria dhe malli për familjarët, që pjesën më të madhe të kohës i ka larg vetes. Cilat janë sekretet dhe pasionet e Gentës? E ndjekim në vijim…
Keni realizuar së fundmi këngën tuaj më të re në bashkëpunim me Getoarin. Kënga është pritur mjaft mirë dhe ka pasur sukses edhe në Shqipëri. Si lindi ideja për të?
Më vjen mirë që është pritur e tillë edhe në Shqipëri. Njëkohësisht edhe në Kosovë ka bërë një jehonë të madhe. Ky bashkëpunim është në kuadër të fushatës elektorale të Ramush Haradinajt, e quajtur “Me Ramushin” ku të përzgjedhur kemi qenë unë dhe Geti. Kemi pasur nderin që kemi realizuar një këngë së bashku me klipin e saj për heroin tonë, Ramush Haradinaj. Bashkëpunimi ka qenë mjaft i mirë. Ne jemi mjaft të kënaqur, si për këngën ashtu edhe për videoklipin.
Duke kaluar tek tipi i Gentës. Shfaqesh herë sportive dhe herë klasike. Ku ndihesh më mirë?
Gjatë së përditshmes jam natyrë sportive, por mund të them se edhe veshjet klasike më përshtaten shumë, madje them se tek këto të fundit ndihem edhe më mirë.
Tashmë keni ndërruar look, duke u kthyer në bionde. Do të qëndroni për shumë kohë kështu?
Në fakt, kam dashur të bëj një ndërrim të look-ut. Artistet gjithmonë e bëjnë këtë. Nuk mendoj se do të qëndroj për shumë kohë kështu, sepse ngjyra ime natyrale më pëlqen më shumë. Ndihem më mirë me ngjyrën kafe.
Përveçse një këngëtare e mirë, ju jeni edhe një kërcimtare e zonja. Bëhet fjalë për një talent?
Po, këtë fenomen e konsideroj si një talent që më ka falur Zoti. Që e vogël kam pëlqyer ta bëj një gjë të tillë dhe mund të them se nuk jam ndalur asnjëherë së vallëzuari.
Me çfarë po merret Genta këto kohë?
Sapo kam përfunduar një turne të gjatë koncertesh në të gjithë Kosovën. Mendoj se do të shkoj për disa ditë me pushime dhe pasi të kthehem dua t’i kushtoj vëmendje dhe të merrem me klipin tim më të ri. Puna për të ka filluar, por kur të kthehem do ta përfundoj. Këto janë planet më afatshkurtra, ndërsa për më vonë, le të mbeten surpriza për t’u zbuluar.
Si e organizon një ditë tënden?
Ditët e mia nuk janë të ngjashme asnjëra me tjetrën, duke pasur parasysh se jam e angazhuar me shumë punë. Puna më merr pjesën më të madhe të kohës, madje edhe deri orët e vona të natës. Por përsëri e gjej pak kohë të dal dhe të pij kafe me shoqërinë time, miqtë që më presin, apo të shëtis në ndonjë vend të bukur.
Prej disa kohësh ju bashkëjetoni me Milotin, që njëkohësisht është dhe menaxheri juaj. Diçka rreth kësaj lidhjeje?
Po, është e vërtetë. Përveçse është i dashuri im, ai është njëkohësisht edhe menaxheri im, duke parë, vëzhguar dhe menaxhuar gjithë punët e mia, në biznesin në të cilin ndodhem. Për sa i përket lidhjes sonë sentimentale, ajo është e përkryer. Kalojmë për mrekulli, jemi shumë të dashuruar.
Si jeni njohur?
Kemi 6 vjet që jemi bashkë, dhe disa kohë më vonë vendosëm të bashkëjetonim. Me njëri-tjetrin jemi njohur përmes shoqërisë. U lidhëm. Tani jetojmë bashkë dhe jemi shumë mirë me njëri-tjetrin.
Keni vendosur ta çoni edhe më tej lidhjen tuaj, ndonjë fejesë apo martesë në plan?
Patjetër që do të vijë koha që të ndërmarrim edhe hapa të tillë. Por për momentin mendojmë dhe kemi gjykuar të qëndrojmë kështu siç jemi. Duam që momentalisht ta shijojmë më shumë jetën rinore.
Çfarë të pëlqen më shumë tek Miloti?
Më pëlqen Miloti në tërësi. Për të gjithë atë çka është.
Diçka rreth familjes tuaj, si është e përbërë ajo?
Familja ime e ngushtë përbëhet nga 5 anëtarë, prindërit e mi dhe dy motrat e mia, Anda dhe Mani të cilat janë në moshë më të re se unë. Ata jetojnë në Amerikë, ndërsa unë jam në Kosovë. Ata i vizitoj shpesh gjatë pushimeve të dimrit. Ata vijnë dhe qëndrojnë me mua gjatë pushimeve të verës, është vendi që ata zgjedhin për të pushuar, pra vendi i tyre. Më merr malli shumë për ta dhe e ndiej mungesën, por gjithsesi takohemi shpesh.
Cili është personi që ju qëndron më afër, duke qenë se prindërit i ke larg?
Është tezja ime, e cila më ndihmon shumë rreth punëve profesionale, të karrierës dhe të koncerteve të mija. Kujdeset për gjithçka. Më qëndron shumë pranë dhe e falenderoj së tepërmi.
Kthehemi sërish tek pamja e Gentës. Veshjet e tua spikasin dhe godasin gjithmonë. Kujdeseni vetë për to apo dikush tjetër?
Në pjesën më të madhe të rasteve kujdesem vetë, i zgjedh dhe i përshtat për çdo eveniment, ose thjesht prezantim në skenë apo koncerte. Ndërsa kur bëhet fjalë për edhe më shumë, ndoshta edhe për look-un tim në videoklipe, ju them se më ndihmon shumë nëna dhe tezja ime.
Parfumi i preferuar i Gentës?
Më pëlqen shumë dhe përdor “Poison”.
Ushqimi që përdor më shpesh?
Pastat.
Me cilin këngëtar apo këngëtare do të donit të kishit një tjetër bashkëpunim?
Nuk e kam menduar ende këtë gjë. Ndoshta do të ndodhë më vonë, nuk mund ta them ende. Gjithsesi, do të ishte një surprizë për adhuruesit e këngës time.
Thatë se do të shkoni me pushime. Cilin vend keni zgjedhur si të preferuar?
Tani në shtator do të shkoj me pushime në disa vende aziatike, siç është Singapori dhe ditët e pushimit do t’i kaloj kryesisht në ishullin e mrekullueshëm Bali, së bashku me Milotin.

TE PATHENAT
Çdo paraqitje e saj tërheq vëmendje. Çdo projekt i hedhur në treg korr sukses. Por Genta Ismajli është shumë e kujdesshme, si me paraqitjet e saj, ashtu edhe me ato që i ofron tregut. Fare rrallë shihet të dalë në lokalet e qytetit apo për shopping, qoftë vetëm, me të dashurin, apo me shoqëri. Ndërsa kujdeset që edhe me këngët apo klipet të mos bëhet e tepërt. Sipas fjalëve të miqve të saj, Genta të shumtën e kohës e kalon me të dashurin, Milot Binakun, i cili po ashtu merret me muzikë, është klarinetist në grupin “Prishtina”, ndërsa prej disa kohësh edhe menaxher i Gentës. Këngëtarja e famshme përcillet nga i dashuri në çdo hap, dhe pothuajse 24 orë janë bashkë, duke marrë parasysh edhe faktin se familja e Gentës jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Telefonatave të gazetarëve u përgjigjet Miloti, edhe pse është mjaft e vështirë të kontaktohet. Me një fjalë, për të arritur te Genta gjithsesi duhet kaluar në “kontrollin” e Milotit. Edhe pse jetojnë prej një kohe të gjatë së bashku, ata nuk kanë ndërmend të martohen shpejt, pasi siç ka deklaruar vet Genta në një rast, kanë shumë punë para vetes, dhe nuk kanë menduar ende për një gjë të tillë. Koncertet e shumta që Genta ka pasur në këtë verë kanë bërë që ajo të fokusohet shumë me tepër në anën komerçiale, sesa të mendojë për ndonjë album të ri. Në projektin e fundit ajo është paraqitur me një look krejt tjetër. Megjithëse ngjyra e hapur e flokëve i shkon mjaft, duket se Genta atë nuk do ta mbajë edhe për shumë kohë. Kjo për shkakun se familja dhe miqtë nuk ia kanë pëlqyer tendencën për të qenë bionde. Sido që të jetë, Genta nuk kënaqet me suksesin e arritur si top këngëtarja në trojet shqiptare. Ajo shikon më larg. Flitet se së shpejti në treg do të hidhet një klip i ri i Gentes, me një këngë në gjuhën angleze, i cili synon MTV-në. E sa për të kënduar në anglisht, Genta nuk e ka problem, sepse ka jetuar një kohë të gjatë në SHBA, atje ku edhe takoi Milotin për herë të parë.

Permalink

Thashetheme vipash



T.A.T.U. topless shtatzënë
Për prezantimin e “Waste Management”, që do të publikohet në vitin 2008, dy këngëtaret ruse, Lena Katina dhe Julia Volkova, të njohura në gjithë botën si grupi T.A.T.U., po shfrytëzojnë të gjitha armët që ato posedojnë. Pas lançimit të singëllit “Beliy Plaschik (White Robe)”, në të cilin Volkova shtatzënë ndëshkohet, pikërisht ajo në edicionin e fundit të ruses “Maxim” ka pozuar topless dhe me barkun shtatzënë, e përqafuar nga kolegia e saj, edhe ajo me bikini. Do të mjaftojë zhveshja e tyre në shitjen e albumit?! Le të shpresojmë se po.

Fergie me vello drejt altarit
Këngëtarja e Black-Eyed Peas, Fergie, pas tre vjet lidhjeje, është fejuar zyrtarisht me Josh Duhamel dhe po përgatitet për të bërë hapin e madh… Pop-stari bukuroshe, siç e ka konfirmuar zëdhënësi i saj për rivistën “People”, do ta bëjë shumë shpejt realitet dasmën e saj: “Fergie, sipas një burimi, u ka telefonuar të gjitha mikeshave të saj për t’u dhënë lajmin e madh. Ajo ka thënë se ende nuk e di çfarë tipi martese dua, por ndihem si vajza më e lumtur e Tokës”. Në nëntor, gjatë ndarjes së çmimeve “Music Awards”, Fergie ka nxjerrë në pah një unazë të bukur me diamante dhe është shprehur pozitivisht për martesën e afërt të saj.

Një dhuratë 100.000 dollarë për Brad
Më 18 dhjetor Brad Pitt mbushi 44 vjeç. E çfarë mund t’i dhurohet një ylli të kinemasë botërore në ditën e lindjes së tij? Për të mrekullueshmen Angelina Jolie nuk ka qenë e vështirë për të bërë të lumtur mashkullin, që do… aktorja ka shpenzuar jo pak, por 100.000 dollarë për të blerë një motoçikletë. Dhe jo vetëm kaq, por boria e tij kishte tingëllimë tekstin e “My Sweetheart, The Drunk” e Jeff Buckley, këngëtari i preferuar i Pitt. Interpretuesi i “Troy” është kënaqur aq shumë nga dhurata, sa me të madhe i ka thënë bashkëshortes së tij se do sa më shumë fëmijë me të.



Permalink

Thashetheme vipash



Një dashuri e re për Jennifer
Çfarë kanë të përbashkët Brad Pitt, Vince Vaugh, Orlando Bloom, Charlie Schlatter, Daniel McDonald, Tate Donovan, Adam Duritz e Paul Sculfor? Asgjë, do thoshit. Përveç një femre, Jennifer Aniston, me të cilën të lartpërmendurit kanë pasur një histori, në mos edhe ndonjë martesë si në rastin e Brad Pitt, me të cilin aktorja e “Friends” u martua në vitin 2000 pas një fejese, që zgjati dy vjet e gjysmë. Dhe që nga ajo kohë jeta sentimentale e “të varfrës” Jennifer, e braktisur për kolegen e saj, Angelina Jolie, ka qenë një triblim sa në një mashkull tek një tjetër. Por këtë herë ka ardhur momenti i shpëtimit: sipas të përjavshmes “Star”, aktorja po del me modelin dhe aktorin Jason Lewis. “Janë zbuluar se kanë një mori gjërash të përbashkëta. Jason është i çmendur pas Jennifer”, - ka thënë një mik i aktores.

Bud Spencer, kalendar “XL”
Ndoshta nuk është një ikonë seksi, por fansat e tij kanë çfarë të shohin. Kështu edhe Bud Spencer, protagonisti i paharrueshëm i filmit kult “Lo chiamavano Trinità…” e “Altrimenti ci arrabbiamo!” me të pandarin mikun e tij, Terence Hill, ka vendosur të bëjë një kalendar të vetin. Ideja fillimisht erdhi nga klubi i tij i fansave, që gjendet në Agropoli (Salerno). Bud u bind me kusht që të gjitha fitimet e tij të shkojnë për bamirësi. Kalendari 2008, që do të dalë në fillim të janarit do ta shfaqë Bud Spencer në situata të ndryshme të jetës së tij, por edhe në skena të kapura nga jeta e zakonshme.

Jackson i lënduar shkon tek kirurgu
Ku i dihet se Michael Jackson është vërtet një baba model. Por kur luan me fëmijët e vet është normale që të ndodh edhe ndonjë incident i vogël. E pikërisht kjo ka ndodhur me të voglin Prince Michael II, i cili i ka dhënë një grusht në fytyrë babait Jackson. Artisti ka lajmëruar menjëherë ndihmën e shpejtë dhe pastaj kirurgun estetik për të vënë gjithçka në vendin e duhur. Javën e shkuar ai u fotografua me një shenjë në fytyrë ndërsa bënte pazar në Las Vegas. Zëdhënësi i tij, ndërkaq u shpreh në sitin Extra.TV që kjo histori ishte tërësisht e sajuar dhe nuk kishte asnjë të vërtetë në këtë lajm.

Roberts: “Me bikini isha shtatzënë”
Kur u xhirua “Lufta e Charlie Wilson”, Julia Roberts ishte shtatzënë, por e gjitha kjo ishte “sekret”, të paktën në sytë e regjisorit Mike Nichols. Kështu, ylli i Amerikës ka pohuar vetë se regjisori i saj nuk ka ditur asnjë gjë për gjendjen e aktores ndërsa ajo xhironte me bikini në pishinë, në një kohë që ishte jo pak, por katër muaj shtatzënë. Megjithatë, askush nuk e kishte vënë në pah barkun e tepër të saj. Aktorja ka treguar se e kishte menduar t’ia thoshte regjisorit, por në momentin e fundit vendosi për të kundërtën. E kështu aktorja që sapo ka mbushur 40 vjeç, ka ditur të “manipulojë” pa dashje regjisorin e saj…

Valeriona e Edoardo, së bashku për pasion
Valeria Marini, biondja “burrosa” e botës së showbiz-it italian po jeton një raport pasioni me Edoardo Costa, një nga më tërheqësit e televizionit italian. Showgirl-ia e stilistja ka rrëfyer për të përjavshmen “Chi” se: “Me Edo po jetoj një marrëdhënie pasionale prej kohësh. Më pëlqen dhe argëtohemi, - ka shpjeguar Valeria, – kemi një raport të lirë. Nuk jemi xheloz as unë as ai. Prandaj kur shihemi dhe flasim ndihemi mirë me njëri-tjetrin”. Të dy ata u fotografuan fillimisht nga paparacët, më pas nisën fjalët për një lidhje mes tyre dhe ja tani vetë bukuroshja Marini, e pohon, ndërkohë që flitet se ajo është shtatzënë.